Postuar më: 22 Tetor 2018

Respektimi i të drejtës së autorit për Gjyqtarët, Prokurorët dhe Avokatët, dhe institucionet e tjera zbatuese

Në kuadër të bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (OBPI), u organizua në Tiranë një workshop kombëtar me temë “ Respektimi i të drejtës së autorit për Gjyqtarët, Prokurorët dhe Avokatët, dhe institucionet e tjera zbatuese ”.

Ky aktivitet u zhvillua në Tiranë, më datë 22 Tetor 2018 në ambientet e Hotel Colosseo.

Gjatë këtij workshop-i u diskutuan tema të tilla si, Investigimi i krimeve në tregun vendas, Natyra e piraterisë online, Perspektiva Juridike në zbatimin e pronësisë intelektuale, roli i mbajtësve të drejtës në zbatimin e pronësisë intelektuale, rritja e ndërgjegjësimit te konsumatori si dhe Marrëveshja e TRIPS-it dhe Direktiva e Zbatimit 2004/48/EC.

Aktiviteti ishte i një rëndësie të veçantë sa i takon zbatimit të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të në Shqipëri, duke patur parasysh problemet e shumta që ekzistojnë në zbatimin e këtyre të drejtave, por dhe mungesa e një stafi gjyqësor të specializuar specifikisht në çështjet e Pronësisë Intelektuale (pronësia industriale /e drejta e autorit dhe të drejtat e lidhura me të).

Kishte pjesëmarrje nga Drejtoria e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, përfaqësues të Ministrive të linjës, si dhe institucione të tjera, të cilat janë të përfshira në zbatimin e legjislacionit për të drejtën e autorit dhe të drejtave të lidhura me të.

Lektorë vendas në këtë aktivitet ishin Znj. Mariana Semini dhe Znj. Elira Kokona.