Postuar më: 15 Maj 2018

Leksion i hapur në Universitetin “LOGOS” në Tiranë

Më datë 15.05.2018 ishim në auditoret e Kolegjit Universitar “LOGOS” në Tiranë ku zhvilluam një leksion të hapur me studnetët e këtij institucioni arsimor. Tematika e leksionit ishte një nderthurje e koncepteve dhe specifikave të mbrojtjes së objekteve të Pronësisë Industriale dhe të së Drejtës së Autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura. Pjesëmarrës ishin studentë dhe pedagogë të studimeve master dhe bachelor te Fakultetit Ekonomik, të Fakultetit të Shkencave të Aplikuara, si dhe anëtarë të Qendrës së Kërkimit Shkencor dhe Zhvillimit në këtë universitet.

Interesi dhe vëmendja e pjesëmarrësve në këtë leksion të hapur u fokusua shumë mbi patentimin e shpikjeve dhe përfitimet ekonomike që sjell Pronësia mbi Patentat, markat tregtare dhe mbi rëndësinë që mbart respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të autorit. Lektorë në këtë event ishin Rezarta Rajta DPPI dhe Sonila Meka DDA.

U shpërndanë libra, fletëpalosje dhe materiale të tjera promocionale. Pas leksionit u zhvillua dhe një takim me drejtuesit dhe pedagogët e universitetit për t`u përfshirë në aktivitete të përbashkëta që kanë në fokus promovimin e PI. Pritet nënshkrimi i një akt marrëveshjeje tre-palëshe midis institucioneve tona dhe Kolegjit Universitar LOGOS, me qëllim shkëmbimin e ndërsjelltë të eksperiencave dhe përfshirjen e studentëve në aktivitetet tona të promovimit të këtyre të drejtave.