Agjencite e administrimit kolektiv

Administrimi kolektiv është ushtrim i të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të, nga organizatat që veprojnë në interes dhe në emër të titullarëve të së drejtës. Pra, agjencitë janë përfaqësuese të titullarëve të së drejtës për administrimin e të drejtave të titullarëve kundrejt përdoruesve. Administrimi i të drejtave të autorit dhe i të drejtave të lidhura ndër të tjera përfshin detyrat e mëposhtme:

a) dhënien e autorizimit për përdorim të objektit të së drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura, objekt i mbrojtjes, kur ky autorizim është i parashikuar me ligj;

b) mbledhjen e shpërblimeve për përdorim të objektit të mbrojtjes;

c) shpërndarjen e shpërblimeve të mbledhura të mbajtësit të së drejtës;

ç) kontrollin e përdorimit të objektit të mbrojtjes;

d) nisjen dhe mbarëvajtjen e procedurave të mbrojtjes në rastet e shkeljes së të drejtave të administruara.

Bazuar në ligjin 35/2016 agjencitë e administrimit kolektiv janë organizata jofitimprurëse të licencuara nga ministria përgjegjëse për të drejtën e autorit që funksionojnë bazuar në një statut të miratuar me të gjitha kushtet dhe kriteret e parashikuara në ligjin për të drejtën e autorit. Licenca e agjencive të administrimit kolektiv për ushtrimin e veprimtarisë është e vlefshme për 3 vjet, dhe e rinovueshme. Këto agjenci administrojnë të drejtat e autorëve vetëm në bazë të një kontrate të lidhur me autorin. Agjencitë mund të lidhin kontrata/marrëveshje edhe me organizatat e huaja simotra.

Në Republikën e Shqipërisë operojnë 4 (katër) agjenci të administrimit kolektiv si më poshtë:

Në datë 21.04.2015, me Urdhër të Ministrit të Kulturës, botuar në Fletoren Zyrtare më datë 29.04.2015, është liçencuar Agjencia e Administrimit Kolektiv “ALBAUTOR” (http://albautor.net) përfaqësuar nga Z. Elton Deda. Kjo licencë është e vlefshme deri më 29.04.2018.

Agjencia ALBAUTOR (http://albautor.net) është person juridik-privat, organizatë jo-fitimprurëse, objekt i veprimtarisë të së cilës është mbledhja e të ardhurave për përdorimin e veprave në fushën e muzikës dhe audiovizualit për veprat vendase dhe të huaja.

Në datë 13.05.2015. me Urdhër Nr. 193 të Ministrit të Kulturës, botuar në Fletoren Zyrtare në datë 25.05.2015 është liçencuar Agjencia “AMP” www.amp.org.al  – Agjenci e administrimit kolektiv për Mbrojtje e Producentëve, me përfaqësues Z. Zamir Sukniqi. Vlefshmëria e kësaj licence është deri më 25.05.2018. (Rruga “Andon Zako Çajupi”, Kati I, Tiranë)

Kjo agjenci është licencuar për herë të parë në vitin 2012. Agjencia ka për qëllim administrimin kolektiv të të drejtave të prodhuesve të fonogrameve dhe videogrameve që vijnë si pasojë e shfrytëzimit dhe përcjelljes në publik të veprave të fiksuara në fono/videograme të prodhuesve anëtarë. AMP mbron interesat e producentëve, anëtarve të shoqatës, si dhe i mbështet ata për të zhvilluar aftësitë profesionale, zhvillimin e teknologjisë në fushën e produksionit për një veprimtari të suksesshme, gjithashtu ka për qëllim mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kulturore.

Në datë 21.04.2015, me Urdhër të Ministrit të Kulturës, botuar në Fletoren Zyrtare në datë 29.04.2015, është liçencuar Agjencia e Administrimit Kolektiv “AKDIE”, me përfaqësues Z. Naim Aliaj, për të mbrojtur të drejtat e artistëve interpretë dhe/ose ekzekutues të veprave. Vlefshmëria e kësaj licence është deri më 29.04.2018. (Blv. “Bajram Curri” , Pall Agimi, Shk 14, Hyrja 259, Tiranë)

Qëllimi i Agjencisë “AKDIE”, është administrimi kolektiv i të drejtave të artistëve interpretues dhe/ose ekzekutues.

Agjencia e Administrimit Kolektiv të të drejtave të artistëve interpretues/ekzekutues ”AKDIE” administron të drejtat e artistëve interpretues/ekzekutues, që rrjedhin nga përdorimi masiv i veprës artistike, si të tërë, duke garantuar shpërblimin e çdo artisti, sipas rregullave statutore dhe kontributit të tyre specifik, në veprën artistike si të tërë, dhe duke garantuar përdorimin e këtyre të drejtave nga ana e përdoruesve masiv, kundrejt pagesës përkatëse.

Në datë 13.05.2015, me Urdhër Nr. 192 të Ministrit të Kulturës, botuar në Fletoren Zyrtare në datë 25.05.2015, është liçencuar Agjencia e Administrimit Kolektiv “FMAA” – Agjenci e Administrimit Kolektiv të të drejtave të Autorit në fushën e kinematografisë dhe veprave të tjera audiovizuale, me përfaqësues Z. Esat Muslliu. Vlefshmëria e licencës së “FMAA” është deri më 25.05.2018. (Rruga “Sami Frashëri”, Pall Agimi, Shk 19, Ap 338, Tiranë).

“FMAA” ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të autorëve, anëtarë të vet, krijues dhe bashkëkrijues të veprave audiovizuale – në zërin regji e skenar, me të gjitha mjetet ligjore dhe praktike sipas parashikimeve të kuadrit ligjor ekzistues në Republikën e Shqipërisë.